×

Mesazh

Cache cleaned (558.14KB)

Pergatitja e pacientit

Rëndësia e diagnostifikimit laboratorik

Kur duhet bërë ekzaminimi laboratorik?

Në rast se pacienti nuk lëngon nga ndonjë sëmundje rekomandohet që pasqyra e gjakut, kontrollimi i urinës dhe analizat themelore biokimike (glukoza, kolesteroli, trigliceridet, urea, kreatinini, thartira e urinës, bilirubina, AST, ALT, ALP, hekuri, etj.) për hir të parandalimit të bëhen një herë në vit. Analizat e këtilla i shërbejnë mjekut që ta përcjellë gjendjen shëndetësore të pacientit. Në rast se pacienti lëngon nga ndonjë sëmundje, atëherë mjeku, sipas nevojës, e drejton pacientin në laborator me gjithë udhëzimin i cili i përmban analizat që duhet kryer.

Çfarë nënkupton ekzaminimi i pasqyrës së gjakut?

Pasqyra e gjakut nënkupton përcaktimin e elementeve të gjakut: leukociteve (rruazave të bardha të gjakut) dhe të formulës leukocitare (limfociteve, granulociteve, monociteve, eozinofilës), eritrociteve (rruazave të kuqe të gjakut), trombociteve (pllakave të gjakut), hemoglobinës, vlerës së hematokritit dhe parametrave të veçantë të lidhura me eritrocitet siç janë MCV, MCH dhe MCHC. Rezultatet e pasqyrës së gjakut mund të zbulojnë aneminë (pagjakësinë), proceset e inflamacionit, çrregullimet e gjakderdhjes si dhe një sërë sëmundjesh hematologjike.

Cila është rëndësia e rezultateve laboratorike?

Analizat laboratorike përdoren nga ana e mjekëve gjatë punës së tyre të përditshme dhe janë të rëndësishme për:

  • përcaktimin e diagnozës
  • vlerësimin e peshës së sëmundjes
  • përcjelljen e zhvillimit të sëmundjes
  • përcjelljen e efektit të terapisë së caktuar

Gjatë përcaktimit të diagnozës, vlerat e nxjerra krahasohen me vlerat referuese, përderisa gjatë përcjelljes së rrjedhës së sëmundjes, si dhe të efektit të terapisë, rezultatet e pacientit krahasohen me rezultatet e mëhershme të tij/saj.

VËREJTJE: Zakonisht në laborator qëndrohet për 10-15 minuta. Për realizimin e disa testeve pacientit i duhet të qëndrojë më gjatë ose të i caktohet një termin i sërishëm.

Pacienti duhet të ia tërheqë vëmendjen personelit të laboratorit në rast se në të kaluarën ka pasur vështirësi gjatë marrjes së gjakut ashtu që kësaj radhe të kryhet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sasia e gjakut të nxjerrur varet nga numri i analizave që duhet kryer. Pajisjet moderne laboratorike e bëjnë të mundshme që pjesa më e madhe e analizave të kryhet me vëllim minimal të gjakut. Pikërisht kjo është arsyeja pse pacientët ndjehen mirë dhe mund të vazhdojnë me aktivitetet normale ditore edhe pas nxjerrjes së gjakut.

Cilat janë analizat themelore biokimike dhe çfarë mund të tregojnë ato?

Sedimentacioni kryesisht përdoret për zbulimin dhe përcjelljen e proceseve të inflamacionit. Niveli i rritur i tij gjithashtu mund të ndodh tek rastet e sëmundjeve reumatike, anemia, proceset malinje, etj.

Fibrinogjeni përcaktohet me qëllim të zbulimit të proceseve të inflamacionit dhe reumatike, si dhe për të egzaminuar funksionimin e mëlçisë.

Glukoza analizohet me qëllim të zbulimit dhe përcjelljes së diabetit (sëmundjes së sheqerit). Personat të cilët kanë të sëmurë nga sëmundja e sheqerit në familje i përkasin grupit të personave të rrezikuar prandaj do të duhej që ta kontrollojnë nivelin e sheqerit në gjak sa më shpesh.

Statusi i lipideve përfshinë: kolesterolin, fraksionet e kolesterolit (HDL dhe LDL) dhe trigliceridet. Këto analiza shërbejnë për të nxjerrë të dhëna rreth rrezikut të zhvillimit të arterosklerozës me gjithë pasojat në sistemin kardiovaskular. Arteroskleroza është emërtimi i përbashkët i të gjitha sëmundjeve ku muri i arterieve është trashur dhe e ka humbur elasticitetin. Në bazë të rezultateve të nxjerra, mjeku e këshillon pacientin rreth ndërrimit të mënyrës së jetesës (ushqim të shëndetshëm, ndërprerjen e duhanit, aktivitet të moderuar fizik) ose përdorimit të barnave gjegjëse.

Bilirubina (e përgjithshme dhe e drejtpërdrejtë), transaminaza (AST, ALT dhe gama GT) dhe fosfataza alkale (ALP) shërbejnë për zbulimin e sëmundjeve të mëlçisë dhe rrugëve biliare.

Kreatinini, urea dhe acidi urik përcaktohen me qëllim të zbulimit dhe përcjelljes së sëmundjeve të veshkave, si dhe të gjendjeve tjera të organizmit.

Kreatin kinaza (CK-NAC dhe CK-MB) dhe laktat dehidrogjenaza (LDH) përcaktohen si parametra të funksioneve të zemrës dhe muskujve.

Hekuri, TIBC, UIBC dhe feritini janë parametra që përdoren në diagnostifikimin e anemisë si dhe gjatë përcjelljes së ndikimit të terapisë përkatëse.

Përgatitja për testime laboratorike

Që rezultatet e analizave laboratorike të jenë të besueshëm, është e domosdoshme që pacientët të përgatiten në mënyrë adekuate për ardhjen e tyre në laborator ashtu që rezultatet të pasqyrojnë gjendjen shëndetësore e jo përgatitjen e gabuar.

PËRGATITJA E PËRGJITHSHME

Përgatitja është e domosdoshme për shumicën e testimeve laboratorike, që nënkupton marrjen e mostrave pas urisë 12 orëshe të natës. Shujta e fundit lejohet të jetë një darkë e lehtë, jo më vonë se në ora 19:00. Uji lejohet të pihet edhe pas orës 19:00.

Një ditë para shkuarjes në laborator është e nevojshme që t'i shmangeni mundimeve të shtuara trupore dhe konsumimit të alkoolit. Aktivititeti i shtuar fizik mund të rris dukshëm aktivitetin e enzimeve të veçanta (CK, LDH, AST) dhe nivelin e kaliumit. Duhet shmangur të gjitha barnat 48 orë para marrjes së mostrës, pos atyre të cilat mjeku ua ka përshkruar si të domosdoshme.

Që rezultati të jetë i besueshëm, në marrëveshje me mjekun tuaj, nxjerrja e gjakut duhet bërë pas ndërprerjes së terapisë dhe periudhës së nevojshme për të nxjerrë jashtë tërë barnat nga organizmi. Vetëm atëherë mund të konstatohen vlerat e reja themelore. Kjo sidomos ka të bëjë me terapinë me hekur, preparatet me vitamina, terapinë hormonale, etj.

Variacionet ditore janë shumë të rëndësishme tek: hekuri, kortizoli, ACTH-ja, kortikosteroidet, etj.

Gjaku për hormone të stresit (ACTH, prolaktina, kortizoli, kateholaminet, etj.) duhet nxjerrë pas pushimit prej 15-30 min.

Testimi i gjakut kur duhet ardhur esëll (para ushqimit):

  • GNGJ ose SHNGJ (glukoza në gjak ose sheqeri në gjak)
  • trigliceridet
  • kolesteroli
  • kolesteroli HDL dhe LDL
  • vitamina B12
  • acidi folik
  • hekuri
  • homocisteina


Testimet që duhet kryer në kohë të caktuar:

  • Testimet të cilat parapëlqehen të kryhen në mëngjes:
    • urina (biokimia me sediment)
    • urina për urinokulturë (urina e parë e mëngjesit të sillet sa më parë)
    • kortizoli (pëson ndryshime të mëdha brenda ditës, zakonisht e para kryhet rreth orës 08:00 në mëngjes, e për mostrën e dytë të vihet rreth orës 16:00)
    • glukoza esëll (pas pushimi të natës)
    • OGTT (pas pushimi të natës)
    • hekuri (parapëlqehet të kryhet gjithmonë në kohë të njëjtë të ditës)
    • PTH
    • pasqyra e gjakut
    • mostra e jashtëqitjes për analizë (bakteriologjike, virale, parazitologjie ose për kërpudha) – deri në ora 13:00
  • Testimet që varen nga faza e ciklit:
    • hormonet gjinore (FSH, LH, estradioli, progesteroni, prolaktina) më së shpeshti maten në ditën e 3-5 të ciklit menstrual ose në ditën e 21-23, varësisht nga këshilla e mjekut.

Përgatitjet e veçanta

Përcaktimi i nivelit të yndyrës në gjak

48 orë para nxjerrjes së mostrës së gjakut:

- të shmanget aktiviteti intenziv fizik, të mos konsumohet alkooli

24 orë para nxjerrjes së mostrës së gjakut:

- të konsumohen vaktet e zakonshme të ushqimit, por jo me yndyrë të shtuar (mos të konsumohet qumështi dhe prodhimet e tij, ushqimet e fërguara, vezët, mishi i yndyrshëm, buka e bardhë, ëmbëlsirat).

Kolesteroli nuk duhet të përcaktohet para se të kalojnë 8 javë nga:

  • infarkti miokardiak akut
  • operacioni kirurgjik
  • trauma
  • sëmundjet dytësore me ndryshime në metabolizmin e lipideve
  • infeksioni akut bakterial ose viral

Përcaktimi i nivelit të hekurit në gjak

Të sëmuarve që marrin terapi me hekur gjaku u merret:

  • një muaj pas injektimit të preparateve të hekurit.
  • 10 ditë pas ndërprerjes së marrjes së tabletave, kapsulave ose sirupit.
  • 3 ditë pas infuzionit intravenoz të preparateve të hekurit.

Përcaktimi i nivelit të hekurit nuk bëhet në fazë të infeksionit bakterial ose viral.

Dy ditë para shkuarjes në laborator nuk duhet konsumuar lëngje të pasuruara me vitamine (boronicë, murriz të zi, manaferrë, rrepan të kuq ...).

Udhëzime të rëndësishme për pacientët pas nxjerrjes së gjakut nga vena

Me qëllim të parandalimit të krijimit të hematomës (gjegjësisht mavijosjes) dhe komplikimeve të mundshme pas nxjerrjes së gjakut nga vena, pacienti duhet të respektojë procedurën e mëposhtme pas nxjerrjes së gjakut:
  • MENJËHERË të shtrëngoj shtupën në vendin e shpuar dhe ta mbajë deri në ndaljen e gjakderdhjes (më së paku për 5 minuta). Në qoftë se pacienti merr terapi antikoagulante ose merr barna që e zgjasin kohën e koagulimit (Aspirina, Andolli...) shtupën duhet mbajtur më së paku për 10 minuta.
  • Ta mbajë dorën e shtrirë dhe assesi ta lakojë.
  • Në rast se ndonjë pjesë e veshjes (p.sh. mënga) i bën shtypje të madhe vendit ku është shpuar, njoftoni personelin e laboratorit të Ju ndihmojnë për të zvogëluar shtypjen në vendin e shpuar.
  • dorën nga e cila është nxjerrë gjaku nuk duhet ekspozuar në ndonjë ngarkesë të shtuar gjatë ditës (duhet shmangur palestrën, punët fizike, bartjen e peshave ...)
Mospërfillja e udhëzimeve të dhëna mund të shkaktojë komplikime.

Përgatitja psikologjike e fëmijëve para shkuarjes në laborator

1234

Është e rëndësishme që Ju si prindër të jeni të vetdijshëm se sa është e domosdoshme ta dërgoni fëmijën tuaj në laborator;
Jini të qetë dhe plotësisht të sinqertë kur të flisni me fëmijën tuaj. Nuk keni nevojë ta gënjeni fëmijën tuaj duke i thënë se nuk do t'i dhembë sepse në atë mënyrë ju e ulni autoritetin e punëtorëve të shëndetësisë, si dhe autoritetin tuaj, dhe i kontribuoni mosbesimit të fëmijës për çdo shkuarje të ardhshme në laborator;
Thuajini fëmijës tuaj që është në rregull të frikësohet, dhe që dhembja e tillë nuk zgjatë shumë;
Tregimin ia përshtatni moshës së fëmijës. Jini të sinqertë, flisni shkurt dhe në mënyrë të qetë sqarojani çfarë pritet prej tij (fëmijës) dhe çfarë të mire sjellin analizat (nxjerrja e gjakut dhemb, mirëpo do të bëhesh më mirë);
Flisni me fëmijën tuaj rreth materialeve që përdoren gjatë nxjerrjes së gjakut në mënyrë që të ketë sa më pak frikë (lidhësja, vata, gjilpëra, alkooli);
Inkurajojeni fëmijën që të jep gjak, që analiza i sjellë të mira dhe se edhe fëmijët tjerë duhet ta bëjnë të njëjtën gjë kur sëmuren. Shmangini sharjet ose kushtëzimet që e bëjnë të ndjehet keq;
Nëse fëmija shqetësohet gjatë nxjerrjes së gjakut, tërhiqjani vëmendjen duke i folur, kënduar, duke ia dhënë lodrën më të dashur në dorë, ose duke dëgjuar muzikë përmes kufjeve...
Lavdërojeni fëmijën kur ju bindet dhe bashkëpunon gjatë nxjerrjes së gjakut. Putheni ose përqafojeni atë;
Thuajini fëmijës Tuaj që pas nxjerrjes së gjakut do të shkoni dhe do të bëni ndonjë aktivitet të bukur që ai/ajo e do.

Këshilla për pacientët të cilët marrin terapi orale antikoagulante

  • Terapinë duhet marrë në mbrëmje (mundësisht në të njëjtën kohë)
  • Gjakun për analizë të kohës së protrombinës (KP) duhet nxjerrë në orët e mëngjesit
  • Parapëlqehet që intervali në mes të marrjes së barnave dhe nxjerrjes së gjakut për KP të jetë 12 orë.
  • Marrja e ushqimit të pasuruar me vitaminë K dhe përdorimi i barnave tjera mund të ndikojë në rezultat (ushqimet me përmbajtje të lartë të vitaminës K janë: perimet e petëzuara, sallata e gjelbër, spinaqi, lakra, brokoli, molla, bananja, karrota, domatja, etj.)

Testi i tolerancës orale të glukozës (TTOG)

Testi fillon në mëngjes në mes të orës 07:00 dhe 08:00, ndërsa pacienti duhet të mos ketë ngrënë e pirë për më së paku 8 e më së shumti 14 orë para nxjerrjes – që do të thotë të mos hajë e pijë asgjë. Tre ditë më herët duhet marrur ushqim normal të ngopur me karbohidrate (bukë, brumëra, patate, oriz). Gjatë kohës së testit që zgjatë 2 orë, pacienti nuk duhet të tymos duhan, të hajë ose të pijë kafe apo lëngje tjera, si dhe nuk duhet ekspozuar në aktivitet të shtuar fizik. Mund të pijë cazë ujë.

Përcaktimi i koncentrimit postprandial të glukozës

Për kryerjen e analizës pacienti duhet të pranohet vetëm deri në ora 08:30 dhe duhet të merr me vete terapinë e zakonshme.
Pacientit, i cili duhet të mos ketë ngrënë ose pirë për 8 orë, së pari i nxjerret gjaku. Pas kësaj pacienti duhet menjëherë të hajë mëngjesin e tij të zakonshëm dhe të merr terapinë e përshkruar, si zakonisht. Saktësisht dy orë pas mëngjesit pacientit i nxjerret sërish mostra e gjakut.

Çfarë nënkupton ekzaminimi i urinës dhe për se shërben?

Ekzaminimi i rregullt i urinës nënkupton përpunimin fizik dhe kimik të saj (pamjen, ngjyrën, reaksionin pH, peshën specifike, praninë e glukozës, të proteinave, acetonit, bilirubinat, urobilinogjenit dhe të nitritit) si dhe ekzaminimin mikroskopik të sedimentit të urinës ku mund të vërehen eritrocitet, leukocitet, qelizat epitele, bakteriet dhe kërpudhat, mukositi, kripa, kristalet dhe materiet tjera. Ekzaminimi i urinës shërben për zbulimin e sëmundjeve të veshkave dhe të traktit urinar.